Interi ka prioritet Curtis Jones pas Spence

Interi po u afrohet gjithnjë e më shumë objektivave të tij në merkato. Pas sigurimit të Djed Spence, i cili pritet të mbërrijë në Milano për të firmosur kontratën me zikaltrit, klubi italian po përqendrohet te përforcimi i mesfushës.

Objektivi kryesor i trajnerit Cristian Chivu është Curtis Jones, mesfushori i Liverpoolit. Klubi anglez vazhdon të kërkojë rreth 40 milionë euro, por Interi beson se mund ta ulë këtë shifër, duke pasur parasysh se kontrata e Jones me Liverpoolin skadon në vitin 2027. Zikaltrit po mendojnë të paraqesin një ofertë fillestare prej 30 deri në 35 milionë eurosh, me synimin për të bindur Liverpoolin të pranojë një marrëveshje.

Chivu e vlerëson shumë profilin e Jones, pasi mesfushori anglez ka karakteristika të ndryshme nga lojtarët e tjerë të repartit të Interit. Për më tepër, ai mund të përdoret në disa pozicione, madje edhe në krahë, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike.

Për të financuar transferimin, Interi pret të arkëtojë nga disa largime. Një prej tyre mund të jetë Davide Frattesi, i cili kërkohet nga Lazio. Gjithashtu, priten zhvillime për largimet e Kristjan Asllanit dhe Massolinit, ndërsa Akinsanmiro tashmë është transferuar te Monza.