Inter, Biseck kërkon largimin

Yann Bisseck mund të largohet nga Interi që në merkaton e janarit. Mbrojtësi gjerman ishte objektivi i Crystal Palace në verë, me klubin anglez që ofroi 32 milionë euro, por Interi refuzoi, duke kërkuar të paktën 40 milionë.

Futbollisti vendosi të qëndronte në Milano, megjithëse e tundonte ideja për të luajtur si titullar në Premier League. Sot, me vetëm 157 minuta në fushë këtë sezon mes Serie A dhe Champions League, Bisseck po mendon të largohet për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në Botërorin 2026.

Mediat britanike dhe gjermane raportojnë për dëshirën e tij për t’u transferuar. Crystal Palace pritet të rikthehet me një ofertë të re, këtë herë më të ulët, rreth 25 milionë euro.

Për Interin, kjo do të hapte nevojën për të gjetur një zëvendësues në një merkato të vështirë dimërore.