Guler: Te Real Madridi, atmosferë negative dhe presion i madh

Arda Guler, talent turk i blerë nga Real Madridi në 2023 për 26 milionë euro, po has vështirësi për t’u bërë titullar i rregullt. Edhe pse ka një sezon të mirë deri tani me 3 gola dhe 12 asistime, media spanjolle kritikon mungesën e vazhdimësisë dhe thekson se klubi nuk i jep kohë të mjaftueshme një të riu për t’u afirmuar. Momenti më i vështirë për Guler erdhi në ndeshjen e fundit të Champions League ndaj Benfica-s, e cila u mbyll 4-2 për portugezët. Mesfushori u zëvendësua në minutën e 78-të dhe kamerat kapën reagimin e tij: “Pse gjithmonë unë?”,një shprehje që ka bërë shumë zhurmë. Sipas Serhat Pekmezci, ish-drejtues i Fenerbahçes, që e çoi Guler-in në Spanjë, mesfushori nuk është integruar ende mirë në dhomën e zhveshjes: “Edhe pse Real Madridi është një superklub, Arda përballet me presion dhe sjellje negative nga grupi. Ai është i durueshëm, por ka filluar të rebelohet.”

Pekmezci shtoi se atmosfera toksike e dhomës së zhveshjes ka ndikuar edhe në vendime të tjera të klubit: “Jürgen Klopp ka thënë se disa lojtarë duhet të largoheshin që ai të vinte. Kjo është edhe arsyeja pse Xabi Alonso u largua nga Real Madridi.” E ardhmja e Arda Gulerit në Madrid mbetet e paqartë: një talent i jashtëzakonshëm, por i përballur me një ambient të vështirë që nuk po e lejon të rritet siç e meriton.

sfidanti.al