Ekipi japonez, Kashima Antlers, është kampioni i ri Azisë, mbasi arriti që ta përballojë ferrin që iu krijua atij në Teheran, duke e mbyllur në barazim (0-0) ndeshjen e dytë finale me Persepolisin iranian dhe duke u shpallur kampion aziatik në mes të kryeqytetit të Iranit. Kashima e kishte fituar ndeshjen e parë 2-0 dhe nuk e lejoi ekipin iranian të mësipërm që ta kërcënonte epërsinë e vet.
Është viti i dytë me radhë që Japonia nxjerr kampionin kontinental, pasi vitin e kaluar kampion i Azisë u shpall Urava japoneze që triumfoi mbi Al Hilalin e Arabisë Sauditë, kurse tani trofeun e fitoi Kashima, për të cilën ky trofe është i pari.
Japonia është vendi i dytë më i suksesshëm në Ligën e Kampioneve të Azisë me shtatë trofetë që kanë fituar klubet saj, ndërkohë që e para është Koreja e Jugut, 11 klube të së cilës janë shpallur deri tani kampionë aziatikë. Kashima do të luajë muajin e ardhshëm në kampionatin botëror të klubeve në Abu Dabi.
Stadiumi i Teheranit, “Azadi”, u mbush plot me 80 000 shikues, madje tre orë para se të fillonte ndeshja e dytë finale me Kashimën, duke u krijuar lojtarëve të këtij ekipi japonez një atmosferë më të vërtetë prej ferri, por sidoqoftë Persepolisi iranian nuk kishte fuqi që ta pëmbyste rezultatin e ndeshjes së parë (2-0).