Donnarumma i padëshiruar, por PSG kërkon të paktën 40 milionë

Gianluigi Donnarumma po përjeton një moment të vështirë në karrierë. Pavarësisht se ishte protagonist absolut në triumfin historik të Champions League për Paris Saint-Germain, si dhe fitues i tre trofeve të tjerë sezonalë, trajneri Luis Enrique ka vendosur ta përjashtojë nga projekti i tij teknik. Vendimi i pasua me afrimin e portierit francez, Lucas Chevalier, të cilin Enrique e sheh si profil më të përshtatshëm për të ardhmen e klubit. Për Donnarumma-n, që ka vetëm një vit kontratë me PSG-në, kjo situatë është një goditje e madhe, duke u përballur me zhgënjim dhe ndjenjë refuzimi. Megjithatë, pavarësisht rrethanave, drejtuesit e klubit parizien nuk pranojnë ta lëshojnë lirë: sipas Sky Sports UK, portieri i kombëtares italiane vlerësohet ende mes 40 dhe 50 milionë eurove. Destinacioni më i mundshëm duket Manchester City. Donnarumma preferon Premier League dhe e sheh skuadrën e Pep Guardiolës si zgjedhjen ideale, sidomos me mundësinë që Ederson të largohet nga “Etihad Stadium”. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur kontakte konkrete mes PSG-së dhe City-t, as me përfaqësuesit e lojtarit. Pengesa kryesore për kampionët e Anglisë lidhet me menaxhimin e portierëve: para se të bëjnë një lëvizje për Donnarumma-n, ata duhet të largojnë një nga portierët aktualë. Me James Trafford tashmë të transferuar këtë verë te City, zgjedhja duket e qartë. E ardhmja e Donnarumma-s mbetet pezull, mes dëshirës së tij për Premier League dhe vështirësisë së PSG-së për ta larguar pa një përfitim të madh financiar.

Sfidanti.al