Mediat serbe dhe tifozët nuk reshtin së lavdëruari njeriun që shpëtoi skuadrën e tyre në ndeshjen e Championsit në “Arenën Air Albania”. Fjala është për portierin Milan Borjan, i cili bëri pritje të rëndësishme në duelin e së martës ndaj Tiranës, që Crvena Zvezda e fitoi me vështirësi 1-0. “Sërish u kuptua se çfarë veprimi i jashtëzakonshëm ishte ai i kryesisë së klubit për t’i ofruar (Borjanit) kontratë 5-vjeçare dhe shirtin e kapitenit, që e mban meritueshëm në krah, – shkruan “Sportski Zhurnal”, – kush e di e sata herë ishte që ai shkëlqeu në skenën europiane”. Titulli në kopertinë i së përditshme sportive ishte “mbrojtësi i ëndrrave të Zvezdës”! Sukseset e 3 viteve të fundit të Zvezdës në Champions janë të lidhura me emrin e tij, ndaj cilësohet “rrufepritës”. Ai ndaloi raste goli në Pragë ndaj Spartës, ndaj Krasnodarit, FC Kopenhagenit, Salcburgut por edhe në fazën e grupeve. Gjithsesi, tifozët kërkuan nga klubi që të sillte një qendërmbrojtës të fortë dhe një sulmues.
Sfidanti.al