Karlo Ançeloti e mori përsipër fajin për humbjen 2-3 të Bajernit të tij ndaj Rostovit, në fushën e këtij të fundit, në ndeshjen e djeshme të Ligës së Kampioneve, duke mbetur kështu, pa shans që të dalë në krye të grupit D. Sidoqoftë, kampionët e Bundesligës e kanë të sigurt vendin në 1/8 e finaleve të konkurrimit më elitar në “kontinentin e vjetër”, pasi, një ndeshje para përfundimit të fazës së grupeve (Bajerni do të takohet me Atletikon e Madridit në “Alianz Arena”, ai është i paarritshëm nga ekipi rus, duke qenë se ka pesë pikë më shumë.
“E filluam ndeshjen, duke ushtruar presion dhe shënuam shpejt gol, por nuk e vazhduam kështu ndeshjen, duke lejuar një rënie të ritmit të lojës dhe duke bërë shumë gabime. Në raste të tillë, përgjegjësia për rezultatet e këqia, në këtë pjesë të sezonit, bie mbi trajnerin. Gabimet tona të shumta e vendosën rezultatin e ndeshjes”, tha Ançeloti, duke shtuar se ai e dinte se ndeshja në Rostov do të ishte e vështirë, nga ana fizike, prandaj ai futi në lojë futbollistë të freskët, duke shpjeguar kështu, se përse e kishte lënë në stol, midis të tjerëve edhe Tomas Mylerin.