Një shqiptar i Kosovës ishte vendimtar për suksesin e kampiones së Kroacisë, ndërsa ende nuk e kishte bërë “sefte”. Lirim Kastrati shënoi një nga golat në barazimin 2-2 të Dinamos së Zagrebit në fushën e Kluzhit të Rumanisë, ndërsa kroatët kaluan në turin e tretë pas gjuajtjes së penalltive. Kastrati, lojtar i Lokomotivës së Zagrebit sezonin e kaluar dhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës, pati nevojë vetëm për 24 minuta për të realizuar, pasi hyri në lojë në 54’ dhe tundi rrjetën në 78’. Në fushë si titullar ishte kapiteni i Dinamos, Arijan Ademi, i cili ishte asistues te goli i Kastratit dhe realizoi njërën nga penalltitë. Lokomotiva e Zagrebit ndërkaq u eleminua, pasi u mund 0-1 në fushën e saj nga Rapidi i Vjenës. Në formacion ishte shqiptari Indrit Tuci, ndërsa Sherif Kallaku, i afruar nga Teuta e Durrësit, hyri në lojë në pjesën e dytë.
Sfidanti.al