Champions League drejt një ndryshimi historik

Një nga simbolet më të njohura të UEFA Champions League mund të ndryshojë shumë shpejt. Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, UEFA po përgatitet të hapë një tender të ri për prodhimin e topit zyrtar të ndeshjeve, çka mund t’i japë fund bashkëpunimit historik me Adidas pas 26 vitesh.

Prodhuesi gjerman ka furnizuar topin zyrtar të kompeticionit më prestigjioz të klubeve në Europë që nga viti 2001, duke e kthyer dizajnin me yje në një nga ikonat më të njohura të futbollit botëror. Megjithatë, drejtuesit e UEFA-s po kërkojnë të rrisin të ardhurat nga të drejtat komerciale, duke hapur garën për kompani të tjera të mëdha sportive.

Sipas raportimeve, në këtë proces mund të përfshihen edhe rivalët kryesorë të Adidas, si Nike dhe Puma, të cilët janë të interesuar të vendosin emrin e tyre mbi topin e ndeshjeve të Champions League. Tenderi pritet të përfshijë jo vetëm këtë kompeticion, por edhe dy turnetë e tjerë europianë për klube: UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League.