Ky emër shteti sot nuk ekziston më, pasi ai ishte një krijim i Luftës së Ftohtë. Republika Demokratike Gjermane, shkurt RDGJ ose Gjermania Lindore, u fshi nga harta kur ndodhi bashkimi me Gjermaninë Perëndimore, kur Muri i Berlinit ra, dhe bashkë me të edhe Bashkimi i madh Sovjetik, e kur Presidenti i fundit i tij, dhe Sekretari i fundit i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike, Mihail Gorbaçovi, mori premtimin që gjermanoperëndimorët do të mbulonin shpenzimin e zhvendosjes së Ushtrisë së Kuqe (380 00 burra, bashkë me armatimin) me shpenzimet e tyre.
Në atë kohë mori fund edhe futbolli gjermanolindor, si entitet i veçantë, e bashkë me të edhe historia e madhe e Dinamos së Dresdenit, dhe yjet e saj “emigruan” në Perëndim. Mes tyre, më i njohuri u bë Matias Zamer, mesfushori me karakter prej graniti që u bë kampion i Gjermanisë me Dortmundin, po ashtu fitoi Championsin me Dortmundin, si dhe Kampionatin Europian në 1996 me Gjermaninë.
Ky Zamer, këto ditë u kthye “virtualisht” në ish-shtëpinë e tij, tek Dinamo e Dresdenit, duke dhënë një intervistë për median zyrtare të klubit. “Unë jetoj sot pranë Mynihut, – tha Zameri, – por shtëpia ime e vërtetë është në Dresden. Tek Dinamo fitova vullnetin për të fituar me çdo kusht, vetëbesimin”. Pikërisht sot mbushen 30 vjet që kur Dinamo e Dresdenit fitoi Kupën e RDGJ-së, në finale ndaj Shverinit, ndeshja e fundit dhe titulli i fundit i Zamerit me fanelën verdhezi. Ai fitoi dy tituj kampion aty. Në Perëndim ikën edhe yje të tjerë si Ulf Kirshten dhe Gynter Emerlih.
Sfidanti.al