Të gjithë prisnin që njeriu i ashpër të shpërthente në kritika, por nuk ishte ky rasti. Stefan Efenberg u tregua tepër xhentil me trajnerin e Bajernit, Niko Kovaç, dhe nuk u shfaq shumë i shqetësuar për dëmtimin e Niklas Zyles. Në një moment të vështirë për bavarezët, atyre u erdhi një mbështetje e mirëpritur. “Shumëkush e lidh problemin e Bajernit me Kovaçin, – tha Efenbergu, – por, unë nuk e shoh kështu. Kovaç është trajneri i duhur, por faj kanë lojtarët, sidomos ata me më shumë përvojë. Ata duhet të mblidhen, madje fare pa trajnerin, dhe të diskutojnë se çfarë duhet bërë”.
Përsa i përket Zyles, “Efe” e ka të qartë se qendërmbrojtësi do të duhet të pushojë gjatë. “Ai duhet të përgatitet për Kampionatin Europian sepse për Bajernin nuk besoj se do të luajë ndonjë rol këtë sezon, – u shpreh ish-mesfushori, – gjithsesi, unë mendoj se Zherom Boateng mund ta zëvendësojë Zylen shumë denjësisht”. Problem për trajnerin Kovaç është se Mats Humelsi është larguar, ndërsa Lukas Hernandez gjithashtu rrezikohet nga dëmtimet.
Sfidanti.al