“I përzgjedhuri” Haverc, s’mund të jesh numri 1 i Gjermanisë pa muskuj!

Pak ditë më parë, Rudi Fëler u shpreh se ai do të ishte më i miri i futbollit gjerman për 10 vitet e ardhshme. “Kjo është e sigurt dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë”, – ishin fjalët e legjendës së Gjermanisë, sot drejtues tek Leverkuseni, thënë për të përditshmemn “Rainishe Post” (“Rheinische Post”). Fëleri padyshim i afrohet të vërtetës, por njëkohësisht është në “konflikt interesi”, pasi dëshiron që vlera e kartonit të Kai Havercit të rritet sa më shumë, kur ai të zgjedhë për të shkuar tek Bajerni apo ndoshta tek Liverpuli, apo diku tjetër.

Gjithsesi, ylli 20-vjeçar ka edhe një pikë të dobët, të cilën duhet ta kthejë në forcë. Këtë e zbulon shoku i tij i skuadrës, Xhonatan Tah (24 vjeç), ndërsa flet për “DAZN”-in. “Njeriu që urren më shumë të bëjë ushtrime force, në ekipin tonë, është Haverci, – thotë ai duke qeshur, – ai dëshiron ta ketë gjithnjë topin në këmbë. Teknikisht është shumë i mir, por duhet edhe të forcohet. Ai ka nevojë që të ndryshojë”. Për Tahun, lojtari me më shumë entuziazëm dhe i papërtueshëm është Lars Benderi. Duke u kthyer tek Haverci, ai është “skilipec” sepse peshon vetëm 82 kg ndërsa është 1.89 metra shtatlartë. Vetë Tahu, është vërtet 1.95 metra, por peshon 96 kg.

Sfidanti.al