Hansi Flik i bën një kërkesë Bajernit: Dua mbrojtës të djathtë!

Pak a shumë, skuadra është e plotësuar, pavarësisht se nuk e mbylli vitin në vendin e parë të Bundesligës. Trajneri Hansi Flik është i kënaqur me Bajernin e tij, edhe pse për drejtuesit ka një kërkesë specifike. Ai do të donte që të kishte në dispozicion edhe një mbrojtës të djathtë, pasi kështu do ta kishte më të lehtë për të aktivizuar francezin Benzhame (Benjamin) Pavar në qendër. Në pikën më nevralgjike të mbrojtjes, Bajerni ka pasur dëmtime, ndërsa ekziston mundësia që Zherom Boateng të largohet (e kërkon Arsenali), ndaj Fliku nuk ka ndërmend të mbetet “zbuluar”.

“Nuk është e lehtë tani në dimër, por duhet të shikojmë, – tha Fliku, – një mbrojtës i djathtë do të na jepte më shumë alternativa”. Drejtori sportiv, Salihamixhiç, pohoi se “tek Bajerni i kemi të gjitha mundësitë të hapura, do të shikojmë se për çfarë kemi nevojë dhe do të veprojmë siç duhet”. Mediat gjermane shkruajnë se mbrojtësi i djathtë i Lajpcigut, Lukas Klosterman (23 vjeç) është një kandidat, porse në verë, ndërsa mendohet në janar për Zhoao Kanselon e Mançester Sitit, që nuk po luan këto kohë. Po për janarin, do të shihet mundësia për ish-lojtarin e Leverkusenit, Henriks, që sot luan për Monakon në Francë.

Sfidanti.al