Elementi më i rëndësishëm i futbollit është karakteri. Pra, vendosmëria për të luftuar deri në fund, ndonëse talenti nuk mund të nënvleftësohet kurrë. Nuk i mungoi klasi Borusias së Dortmundit në fushën e Hofenhajmit, por i mungoi pikërisht vendosja e zemrës në fushë. Edhe pse kaloi përpara me golin e shënuar nga “i harruari” Mario Gëce, sërish skuadra e trajnerit Lysien Favre nuk mundi të merrte fitoren, madje as barazimin, dhe u mund 1-2.
Hofenhajmi luftoi më fort, dhe fitoi 61 për qind të dyluftimeve. Ky ishte elementi që vendosi dhe nuk bëri punë fakti se Dortmundi goditi 8 korne ndaj 0 të vendasve, që e mbajti më shumë topin dhe që bëri më shumë pasime. Vrapimi ishte aty-aty, por jo suksesi në duele, ndërsa blutë shënuan me anë të Adamianit në minutën e 79-të dhe kroatit Kramariç në të 87-ën. Dortmundit i prishi punë dëmtimi i kapitenit të dytë Humels që u zëvendësua në pushim, por edhe mungesa e kapitenit të parë Marko Rojs, ndërsa Pako Alkaser hyri vetëm në 5 minutat e fundit. Pas kësaj humbjeje, Borusia mbetet me 30 pikë dhe të mbetet prapa Bajernit, ndërsa Lajpcigu e Mynshengladbahu të shkëputen edhe më shumë.
Sfidanti.al