Skuadra që mban titullin nuk do të mundet që ta mbrojë atë. Një Borusia mori një goditje të rëndë në Gjermani dhe flasim për Dortmundin që u flak jashtë Kupës nga një ekip i kategorisë së dytë si Sent Pauli. Dihej që më parë se ky konkurrim gjerman kthehet shpesh në “varrezë të gjigandëve”, siç e ka provuar edhe Bajerni madje me rivalë shumë më modestë. Ekipi nga Hamburgu ia ngriti edhe më shumë lart lavdinë Kupës së Gjermanisë duke e mundur Dortmundin 2-1 me golat e shënuar nga Amenido që në 4’ dhe Vicel (autogol) në 40’. Erling Halandi shënoi golin e 79-të në 78 ndeshje për verdhezinjtë (me penallti në 58’), por këtë herë nuk mjaftoi. Miqtë patën epërsi të madhe, por jo efikasitet. Zotërimi i topit 69 për qind, dhe 14 gjuajtjet drejt portës ndaj 7 të vendasve nuk bënë punë, as gati 760 pasimet ndaj vetëm 340 të Sent Paulit. Rreth 2 000 tifozë ishin në stadiumin e vjetër “Milerntor” e padyshim u kënaqën dhe u ndjenë sikur të ishin 30 000.
Sfidanti.al