Barcelona nën hetim për Julian Alvarez

E ardhmja e Julian Alvarez vazhdon të jetë në qendër të merkatos, ndërsa tashmë çështja ka marrë edhe një dimension zyrtar. Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka hapur një hetim ndaj Barcelonës pas ankesës së paraqitur nga Atletico Madrid. Klubi madrilen pretendon se drejtuesit katalanas kanë kontaktuar me sulmuesin argjentinas jashtë afateve të lejuara nga rregulloret, pavarësisht se Alvarez është nën kontratë me Atletikon deri në qershor të vitit 2030.

Ankesa ishte dorëzuar më 30 qershor, ndërsa tashmë RFEF ka njoftuar zyrtarisht të dy klubet për nisjen e procedurës. Sipas raportimeve të Jijantes dhe MARCA, Barcelona e ka konsideruar hapjen e hetimit si një procedurë normale, që shënon fillimin e fazës së apelimit. Tashmë të dy klubet do të paraqesin argumentet dhe provat e tyre, përpara se autoritetet të marrin një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Julian Alvarez mbetet objektivi kryesor i Barcelonës për repartin ofensiv.

Presidenti Joan Laporta ka pranuar më herët se klubi katalanas kishte paraqitur një ofertë për sulmuesin, por Atletico Madrid ka refuzuar kategorikisht të negociojë largimin e tij. Nga ana tjetër, vetë lojtari ka shprehur gjatë Kupës së Botës dëshirën për një sfidë të re larg Madridit. Data 10 gusht, kur Alvarez pritet t’i bashkohet përgatitjeve parasezonale të Atletikos, konsiderohet vendimtare për të kuptuar qëndrimin e tij përfundimtar. Barcelona, megjithatë, nuk dëshiron që operacioni të zgjasë pafundësisht dhe, paralelisht me përpjekjet për Alvarez, po shqyrton edhe alternativa të tjera për të përforcuar repartin e sulmit.