Ndërsa vazhdon të presë zhvillime në pistën që çon te Julian Alvarez, Barcelona po eksploron alternativa të tjera për repartin ofensiv dhe një nga emrat më të mëdhenj në listën e klubit katalanas është Harry Kane. Sipas raportimeve që vijnë nga Anglia, drejtuesit e Barcelonës kanë kryer kontaktet e para informuese për kapitenin e kombëtares angleze, i cili aktualisht është i angazhuar në Kupën e Botës 2026.
Sulmuesi i Bayern Munich ka kontratë me kampionët e Gjermanisë deri në verën e vitit 2027, por emri i tij vazhdon të tërheqë interesin e klubeve më të mëdha evropiane. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Kane i ka dhënë përparësi bisedimeve me Bayern Munich për një rinovim të mundshëm të kontratës. Megjithatë, kjo nuk e ka zbehur interesimin e Barcelonës, e cila po ndjek me vëmendje çdo zhvillim rreth të ardhmes së sulmuesit 32-vjeçar. Klubi katalanas nuk e konsideron Kane thjesht një alternativë rezervë, por një objektiv të rëndësishëm për forcimin e sulmit. Nëse negociatat mes lojtarit dhe Bayernit nuk përparojnë sipas pritshmërive, Barcelona mund të rikthehet me një ofertë konkrete në ditët e fundit të muajit korrik. Për momentin, e ardhmja e Harry Kane mbetet e hapur, ndërsa merkatoja verore pritet të sjellë zhvillime të reja në një nga dosjet më interesante të verës.

