Nuk është një film, por një ngjarje e vërtetë. E bukur dhe e hidhur siç është shpesh herë vetë jeta. Një djalë 27-vjeçar theu dënimin e arrestit shtëpiak për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit që po e priste që nga fillimi i sezonit. Emri i tij është Lui Sou Papa, për shokët e tij Lui Sao, vendbanimi Torino e Italisë, ndërsa problemet me drejtësinë i pati sepse u kap duke shpërndarë drogë. Gjyqi nisi dhe ai u dënua me arrest shtëpie, por këtë të diel, ekipi i tij në ligën amatore, Kastilione Torino do të luante derbin ndaj Cit Turin.
Lui Sao nuk u mendua aspak, por u largua nga shtëpia dhe shkoi në fushën e futbollit ku luajti titullar për 75 minuta. Gjithçka i shkoi keq, pasi skuadra humbi 0-3, ndërsa ai humbi një penallti, por më e rënda do të vinte më pas. Ndërsa ai luante, karabinierët nga Milano trokitën në shtëpi, dhe pasi nuk gjetën njeri, e morën në telefon. “Ku je?” e pyetën. “Po luaj futboll tek fusha”, u përgjigj ndershmërisht Lui Sao. Karabinierët erdhën dhe e arrestuan, në sytë e habitur të të tjerëve. Djali afrikan me origjinë nga Gaboni nuk i kishte thënë njeriu se ishte ne gjyq dhe në arrest shtëpie.
B. Kuka