Heroina e automobilizmit, Sofia: Më jepni makinën dhe unë sfidoj burrat!

Plot 22 muaj të shkuar thuajse humbi jetën në përplasjen e tmerrshme në Makau, ndërsa sot do të jetë në timonin e “raketës” së saj në pistën e Lë Mansit. Sofia Flërsh, pilotja gjermane 19-vjeçare nuk u tremb aspak që pa vdekjen në sy, ndërsa synon që të tregojë se edhe një grua mund të jetë një Sena apo Shumaher. Vajza e re do të marrë pjesë në garën më të vështirë e më të famshme të automobilizmit, ndërsa tregon se përse një femër mund t’ia dalë.

“Në sporte të tjerë vendos forca fizike që meshkujt e kanë më të madhe, – thotë ajo, – ndërsa këtu është makina që vendos shpesh, ndërsa një grua mund të përballojë forcat e ndryshme të natyrës që ndikojnë gjatë pilotimit. Nga ana mendore, mendoj se jemi po aq të forta ta burrat, dhe po ashtu mund ta marrim njëlloj rrezikun në sy”. Sofia thotë se paragjykimet vazhdojnë, por shton se “më jepni buxhetin dhe makinën që u japin pilotëve më të mirë dhe unë mund të matem me ta, ndërsa duhet të luftoj ndaj tyre me mjete shumë më të varfëra”. Sofia Flërsh mendon se e ardhmja e saj do të jetë në Formula 1, por kjo mund të ndodhë pas 4 apo 5 vjetësh.

Sfidanti.al