Fitorja e titullit cilësohet vetëm si hapi i parë. Drejtuesit e Tiranës menjëherë e kanë kaluar vëmendjen tek pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve, ku duan të bëjnë një paraqitje të madhe. Presidenti Refik Halili dhe drejtuesit sportivë të klubit kanë pikëtuar disa futbollistë që duhet të afrohen gjatë verës për të bërë të mundur përsëritjen e suksesit të Skënderbeut, që arriti dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Burime nga klubi kryeqytetas bëjnë me dijë se synohet përforcimi në të tre repartet.
Për sulmin dëshirohet Dejvi Bregu, vlonjati që këto sezone ka qenë me Skënderbeun, duke u vlerësuar si futbollisti kryesor i korçarëve. Njëzetekatërvjeçari ka shënuar shumë gola e ka ndikuar me talentin e tij, ndaj edhe cilësohet si objektivi kryesor. Një tjetër lojtar i Skënderbeut duhet për t’i dhënë më shumë siguri mbrojtjes, dhe ky është Bajram Jashanica. Shqiptari i Kosovës sot është 29 vjeç dhe ka përvojë të madhe, ndërsa këtë vit u kthye në fushë pas pezullimit për shkak të dopingut.
Përforcimi i tretë lidhet me mesfushën dhe është gjithashtu një lojtar që ka luajtur me Skënderbeun, por dikur edhe me Tiranën. Sabien Lilaj, organizatori 31-vjeçar, luajti edicionin e fundit në Premier Ligën e Izraelit, për Sekcian e Nes Zionës, duke shënuar një gol e duke shërbyer një asist, ndonëse as ai, dhe as Jahmir Hyka, nuk e ndihmuan dot ekipin që të mbijetonte në elitë. Gjithsesi, duhet bërë një pyetje retorike (sepse klubi vështirë të përgjigjet). Tirana ka detyrime të mëdha financiare në FSHF, në tatime dhe në ish-lojtarë e trajnerë. A do të mundet që “Loja e Ndershme Financiare” të luhet edhe kështu? Apo, meqë Mançester Siti doli “pa lagur” pse të ketë problemTirana?
Sfidanti.al