Hofenhajmi nuk e respekton Rumenigen: Po na vjedh talentet!

Disa muaj më parë, shefi ekzekutiv i Bajernit, i doli në krah presidentit të klubit të qytetit të vogël, ndërsa u sulmua nga tifozët bavarezë. Karl-Hajnc Rumenige ndenji qëllimisht pranë Ditmar Hopit, pronarit të Hofenhajmit, i cili ishte ofenduar nga tifozët ultras sepse, sipas tyre, po prish traditën e futbollit në Gjermani. Sot, klubi i Hopit, Hofenhajmi, nuk e pati problem të sulmonte klubin e Rumeniges, Bajernin, me një akuzë të rëndë për vjedhje.

“Ata po joshin lojtarë që janë nga 16 vjeç (Armindo Zib, në foto, dhe Mamin Sanjang), – thotë drejtori i menaxhimit të Hofenhajmit, Frank Bril, – duhet të theksojmë se, në kuadër të solidaritetit, ata ndjekin një biznes rekrutimi të talenteve me xhiro prej treçerek miliardi eurosh. Nga perspektiva e strategjisë së tyre si korporatë, kjo është gjë e zgjuar, por neve na prish punë, sepse ne bëjmë një punë të madhe në akademi për t’i rritur ata lojtarë”. Siç ndodh në biznes, njeriu mund t’i dalë në krah njeriut për çështje individuale, ose kur kanë interes të njëjtë (Rumenige kërkon të bëjë pikërisht këtë gjë tek Bajerni), por ama kur preken interesat, nuk njihen më me njëri-tjetrin.

Sfidanti.al