Duhek të kishte qenë një ditë feste. E tillë ishte parashikuar 29 maji i vitit 1985 në kryeqyteti e Belgjikës, Bruksel, ku do të luhej finalja e Kupës së Kampionëve. Dhjetëra mijë tifozë kishin ardhur nga Italia, Anglia e vende të tjera për sfidën e madhe, Liverpul-Juventus, duke bërë shpenzime të mëdha, por e gjitha kjo për t’u përballur me vdekjen. Pak rëndësi ka sesi nisi, për atë gjë janë bërë gjyqe, por kur mbrëmja e tmerrshme në stadiumin “Hejsel” përfundoi, 39 tifozë kishin humbur jetën e 600 të tjerë ishin plagosur.
Një bilanc lufte i paralajmëruar, por që UEFA nuk arriti ta dëgjonte në kohë. Prej vitesh kupat europiane ishin bërë skena të huliganizmit të futbollit anglez, që shpërtheu edhe në Bruksel, ndonëse vetëm pakica e tifozëve nga ishulli ishin të tillë. Për tragjedinë mjaftuan pakica. Stadiumi “Hejsel” ishte i në gjendje të rrënuar, i lënë pas dore prej shumë vitesh, dhe pa kushtet e sigurisë për një ndeshje të tillë. Liverpuli dhe Juventusi i kërkuan UEFA-s të mos luhej aty, por kjo nuk ndodhi, ndonëse mund të zgjidheshin “Kamp Nou” apo “Bernabeu”.
Huliganët shpërthyen në sektorin ku ishin tifozët italianë, shumica qytetarë të thjeshtë e madje mjaft emigrantë në Belgjikë, duke mposhtur rezistencën e policisë. Kur italianët deshën të largoheshin, shumë tifozë u shtypën nga të tjerët, duke gjetur vdekjen e duke u plagosur. Qindra tifozë të tjerë italianë deshën të ndihmonin patriotët e tyre, por nuk u lejuan nga policia belge, në një luftë që zgjati dy orë.
Në përfundim, humbën jetën 33 italianë, 4 belgë, 1 francez dhe një anglez, ndërsa të plagosurit arritën në rreth 600. U bënë 34 arrestime dhe pati dënime deri në 3 vjet burg. Kjo mbetet sot e kësaj dite tragjedia më e madhe në një ndeshje të UEFA-s në kupat europiane.
Pavarësisht dhunës, autoritetet vendosën që finalja të luhej, nga frika se mos anulimi i saj do të shkaktonte dhunë edhe më të madhe. Juventusi fitoi 1-0, pas penalltisë së fituar nga Bonjek jashtë zone, dhe të kthyer në gol nga Mishel Platini. Lojtarët e Liverpulit nuk protestuan, në shenjë pendimi për tragjedinë e shkaktuar nga tifozët e tyre.
UEFA përjashtoi klubet angleze për një kohë të pacaktuar, që u vendos përfundimisht në 5 vjet, ndërsa Liverpuli pati edhe 1 vit ekstra. Rikthimi i anglezëve u bë në sezonin 1990-1991, dhe ishte triumfal me Mançester Junajtidin që fitoi Kupën e Kupave, në finalen ndaj Barcelonës në Roterdam, nën drejtimin e kapitenit Brajan Robson dhe trajnerit Aleks Ferguson.
Sfidanti.al