Bredli Uigins është një “Kalorës”, jo nga ata me kalë, por me titull fisnikërie të fituar në mënyrë meritore në Britaninë e Madhe. Ylli i çiklizmit, me pesë medalje të arta olimpike dhe me triumfin në Turin e Francës, vendosi t’i jepte fund karrierës pas 20 vitesh në nivele të larta. Ai tani është 36 vjeç. Uigins fitoi medaljen e parë olimpik për Britaninë Madhe në 2000 në Sidnei, ndërsa në 2012 arriti kulmin, duke fituar edhe Turin e Francës, edhe të artën olimpike. Ai është i vetmi në historinë e këtij sporti që ka fituar titullin botëror dhe olimpik edhe në rrugë, edhe në pistë, që ka fituar Turin e Francës dhe që ka vendosur rekordin legjendar të orës. Kabineti i tij i trofeve ka 5 medaljet e arta olimpike, 1 medalje të argjendtë dhe 2 të bronzta.
Në total, ai fitoi 14 të arta, nga të cilat 7 në kampionatet botërorë në pistë.
Gjithsesi, “Uigo” po largohet në një moment delikat për çiklizmin britanik. Skuadra e tij “Skaj” është e rrethuar nga dyshime se ka përdorur substanca jo të ndershme për të arritur suksese, mes të cilëve edhe atë të Uiginsit. Dyshimet u shfaqën fillimisht në “Deili Meil” në muajin tetor, kur u botua një histori se një pako e dyshimtë me medikamente u dërgua nga Mançesteri tek skuadra Skaj në vitin 2011, në një garë në Belgjikë. Skuadra u detyrua të dilte përpara një komisioni të parlamentit britanik, por ish-doktori i Uiginsit, Dejv Brejlsford, deklaroi se kjo po i kujton historinë e Lens Armstrongut. Brejlsfordi mbrojti skuadrën “Skaj” duke thënë se pakoja kishte substanca legale, ndërsa pritet dokumentacioni nga Federata Britanike e Çiklizmit.
Sfdanti.al