Mekgregori sulmon rivalët Getje e Habib, përderisa ata nuk po “ia varin”!

Kanë kaluar vetëm dy-tri ditë nga ndeshja e fortë e UFC-së, mes Xhastin Getjes (Gaethje) dhe Toni Fergusonit, ndërsa po mendohet një duel i madh i kampionit të ri me “mbretin e oktagonit”, Habib Nurmagomedov. Në këtë kombinim nuk ka vend, për momentin, për Konor Mekgregorin, njeriun-simbol të UFC-së deri në tetor 2018, kur u mund nga Nurmagomedovi.

Gjithsesi, nuk thonë kot “nëse të tjerët nuk flasin për ty, fol ti për vete”. Mekgregori nuk ia përtoi dhe fillimisht sulmoi Xhastin Getjen, duke e quajtur fitoren e tij pa ndonjë vlerë të madhe sepse u arrit ndaj një rivali jo shumë të fortë (sipas irlandezit). “Unë do të t’I shkul dhëmbët dhe do të formoj një varëse qafe me to”, – deklaroi Mekgregori sipas stilit të tij tipik. Më pas, ai sulmoi Nurmagomedovin, duke e akuzuar si “një mi që vazhdimisht fshihet” (ndonëse ai nuk u fsheh në 6 tetor 2018).

Irlandezit i dha përgjigje menaxheri i të dy luftëtarëve, pra edhe i Getjes, edhe i Habibit. Ky është Ali Abdelaziz. “Ai e pati shansin në janar që të ndeshej me Xhastinin, por zgjodhi një tjetër (Donald Serronen), sepse ishte rival më i lehtë. Tani dy mbretërit e këtij divizioni do të ndeshen, dhe Konori ndoshta mund të ndeshet me dikë, në ndeshjet që do të jenë si dekor”.

Sfidanti.al