Zyrtarisht e quajnë “stuhi në një gotë uji”. Tirana habitet me ato që i quan spekullime për fatin e trajnerit Ardian Mema, dhe zyrtarisht pohon se gjithçka vazhdon normalisht përsa i përket stolit. Drejtues të klubit deklaruan se tekniku nuk është vënë në diskutim, pra nuk ka pasur as paralajmërim për shkarkim, dhe as konfirmim, ndërsa ai vazhdon të drejtojë normalisht stërvitjen e skuadrës ditë pas dite.
Gjithsesi, burime në skuadër kanë pohuar më parë se gjendja ishte pezull, dhe se për një kohë të gjatë ata nuk kanë ditur orarin e stërvitjes së radhës, diçka jo normale. Në klub flitet se presidenti Halili i ka kërkuar Memës dorëheqjen, dhe se trajneri nuk ka pranuar.
Pas kësaj, mësohet se është kërkuar fitorja e tri ndeshjeve të radhës si kusht për vazhdimin. Vetë Halili la të nënkuptonte se mund të kishte vendime drastike, ndërsa foli pas derbit të humbur me Partizanin. Presidenti dhe trajneri kanë pasur edhe një takim tjetër dhe kanë vendosur të presin sërish, për të parë rezultatet e ardhshme, pas rifillimit të kampionatit.
Tirana ndodhet fare pranë kreut të renditjes në Superligë, por atmosfera në klub dhe në skuadër është tronditur pas dy humbjeve radhazi me Kukësin e Partizanit, dhe pas barazimit në Vlorë me Flamurtarin.
Sfidanti.al