Ai është një lojtar më përvojë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, pa shumë fjalë, ai është një futbollist profesionist kohëgjatë, por, siç duket, në ndeshjen e dytë kualifikuese të Shkëndijës së Tetovës, kapiten i së cilës Agim Ibraimi është, me Dudelanzhin luksemburgas në kuadrin e Ligës së Evropës, atij “i iku mendja”, sepse ndryshe nuk ka sesi shpjegohet veprimi i tij i pazakontë në fund të ndeshjes.
Faulli ose skandali më i madh në fushën e lojës është të sulmosh arbitrin kryesor dhe pikërisht këtë gjë bëri Ibraimi, kur gati e goditi, në mos e goditi, me kokë gjyqtarin e ndeshjes. Një veprim i tillë përbën turp jo vetëm për vetë lojtarin, por edhe për klubin tetovar. Tani pritet dënimi nga ana e UEFA-s që me siguri do të jetë shumë i ashpër.
Shkëndija e Tetovës, pasi fillimisht u eliminua nga ekipi estonez anonim, Nome Kalju, në Ligën e Kampioneve, u eliminua mbas dy ndeshjeve edhe nga Dudelanzhi në Ligën e Evropës. Në ndeshjen e dytë ekipi luksemburgas, pasi e kishte fituar ndeshjen e parë në Shkup 2-1 kundër Shkëndijës, barazoi 1-1 në fushën e vet, ndërkohë që gjyqtari i ndeshjes nxori me karton të kuq tre lojtarë të Shkendijës, dy prej tyre, përfshi Ibraimin, mbas min. 90-të.
Sfidanti.al