“Hjuston Raketsat” do të kenë tandemin mbrojtës më të fuqishëm në NBA, duke qenë se ky klub do të realizojë një transferim fantastik, duke sjellë në radhët e veta Rasëll Uestbrukun që ka vendosur të largohet nga Okllahoma, ndërkohë që këtë gjë e bëri edhe Pol Xhorxh që u shpërngul për te LA Klipersat.
Uestbruku ka bërë të ditur qartë se destinacion i tij i ardhshëm do të jetë një klub që ka ambicie të fitojë titullin kampion. Hjustoni reagoi ndaj sfidës dhe arriti që të sigurojë shërbimet e ish-basketbollistit më të vlefshëm të NBA-së në një garë të ashpër, ku merrnin pjesë edhe klube të tjerë të ligës më të fortë amerikane.
Tanimë mes të dy klubeve të mësipërm është arrritur marrëveshja përkatëse më të gjithë detajet, kështu që Okllahoma, duke lëshuar Uestbrukun, veç të tjerave, do të marrë si shkëmbim plejmejkerin mjaft të mirë, Kris Pol, që në fakt nuk shkonte mirë me Hardenin dhe mezi priste që të largohej.
Nuk ka asnjë dyshim se kualitetet e Hardenit dhe të Uestbrukut janë jashtë serie, por ndërkohë duhet të theksohet se të dy ata janë mjaft egoistë, kështu që do të jetë interesante të shihet sesi do të funksionojë ky tandem.
Sfidanti.al