Sezoni ecën, por fati jo për Zhoze Murinjon. Pas mallkimit të rasteve të humbura apo shansit kundër në shumë prej ndeshjeve ku ka lënë pikë, ja edhe një tjetër, ndër më të dhimbshmit. Evertoni i mori pikën Mançester Junajtidit në minutën e parafundit, me një 11-metërsh. Fatin e keq, në një farë mënyre, e “gatoi” vetë trajneri portugez duke hedhur në fushë Maruan Felainin, dhe ishte pikërisht ish-lojtari i Evertonit që shkaktoi penalltinë pak minuta më vonë. Leiton Bejns ruajti gjakftohtësinë përballë De Geas duke barazuar rezultatin për kënaqësinë e rreth 42 000 tifozëve në “Gudison Park”.
Zllatan Ibrahimoviç e kaloi në epërsi skuadrën e tij në pjesën e parë, me një nga momentet e tij magjike. Në minutën e 42-të, ylli i madh suedez e kaloi topin mbi kokën e portierit vendas, dhe pasi preku traun e portës, ai hyri brenda. Në tërësi, gjithsesi, Murinjo nuk mund të quhet i pafat. Evertoni luajti më mirë, dhe De Gea ishte më i angazhuari i të dy portierëve. Për më tepër, Roho shpëtoi pa marrë karton të kuq në pjesën e parë, kur ndeshja ishte 0-0, gjë që do të kishte qenë katastrofë për Junajtidin. “Djajtë e kuq” kanë marrë vetëm 9 pikë nga 8 ndeshjet e fundit dhe po mbeten gjithnjë e më prapa në renditje, në vendin e 6-të me 13 pikë më pak se Çelsi, ndërsa ndeshja e radhës është ndaj Totenhemit në “Old Traford”.