Euroliga, CSKA përmbys Realin, në finale e pret … Anadolu Efesi!

Një e papritur, dhe një përmbysje ishin përfundimet e gjysmëfinaleve të Euroligës, luajtur në “Buesa Arena” të Vitorias, pra në Spanjë. Reali humbi një shans të madh për të shkuar në finale, duke mos e shfrytëzuar faktorin fushë, meqë luante në tokën spanjolle, dhe i lejoi vetes të përmbysej nga CSKA-ja e Moskës. Kampionët e Europës në fuqi u ndodhën edhe 14 pikë përpara në pjesën e tretë (51-65), por skuadra moskovite nuk u dorëzua, duke fituar 95-90.

Nando De Kolo shënoi 23 pikë në rreth 27 minuta e gjysmë në parket, si dhe shtoi 4 topa në tabela e 2 asistë. Për në Euroligë, nuk janë aspak gjë e vogël. Sergio Rodrigez nuk mbeti pas, me 23 pikë gjithashtu, dhe me 4 asistë. Ish-lojtari i Realit u hakmorr për humbjen e vjetshme në gjysmëfinale. Shkëlqyeshëm luajti amerikani Uill Klajbërn (18 pikë, 5 topa në tabela) si dhe amerikani tjetër, Kori Higins (11 pikë).

Reali pati më të mirin Fabien Kasërin me 18 pikë, Jul shënoi 13, ndërsa Rudi Fernandez e Kampaso realizuan nga 10 pikë. Në prani të mbi 13 000 spektatorëve, madrilenët nuk mundën të shkonin në finale për të synuar titullin e 11-të, dhe të dytin radhazi për herë të parë në 51 vjet. CSKA-ja mund të fitojë titullin e 8-të.

Gjithsesi, duhet të matet me një kundërshtar që nuk e priste. Anadolu Efesi, pasi eleminoi Barcelonën, mundi thellë dhe papritur nënkampionen e Europës, Fenerbahçen e Stambollit. Anadolu, ish-ekip i Ermal Kuqos, fitoi derbin turk me shifrat 92-73, duke mos u impresionuar nga fakti që Feneri ishte skuadra numër 1 e sezonit të rregullt.

Amerikani Shejn Larkin ishte i shkëlqyer me 30 pikë, 7 topa në tabela, 7 asistë dhe dy vjedhje topi, një nivel NBA-je. Serbi Vasilije Miçiç ishte gjithashtu lart, me 25 pikë, 5 topa në tabela, 1 asist e një vjedhje topi. Për Realin, më të mirët ishin Jan Veseli me 14 pikë, Erik Grin me 13, dhe Nikola Kaliniç me 12. Finalja CSKA-Anadolu Efes luhet të dielën.

Sfidanti.al