“Katër muaj zi”! Ky ishte një titull i gazetës madrilene “AS”, pas “drurit” që Reali mori nga Ajaksi në Champions. Pas trofeut të tretë europian radhazi, ndoshta askush nuk e priste që skuadra e madhe të binte kaq poshtë, por gazeta tjetër “Marka”, duket se i bie pikës kur jep një emër: Zinedin Zidanin.
Pikërisht trajneri që drejtoi ekipin për dy sezone e gjysmë afërsisht, duket se ndjeu atë që do të vinte. Dorëheqja e tij tronditëse dhe dramatike vetëm pak ditë pas fitores së Kievit ndaj Liverpulit, krijoi një mister të vërtetë që, tani po zbulohet pak nga pak.
Zidan iku sepse nuk kishte besim se mund të vazhdonte në nivele të larta me këtë skuadër. Ai e njihte ambientin, i njihte lojtarët dhe problemet që ata kishin. E dinte se si ishte Bejli, Benzemaja, Isko, Asensio, Marselo. Ishte shumë i mërzitur nga egoizmi i Kristiano Ronaldos, që në çdo moment fliste vetëm për padrejtësinë që po i bëhej atij, duke mos i dhënë rrogën që meritonte.
Burime në klub pohojnë se i kishte thënë presidentit Perez se “duhet t’i japësh zgjidhje kësaj pune, (Ronaldo) është i padurueshëm”! Zgjidhjen ia dha vetë portugezi me largimin e tij, por nëse Zidan do të kishte vazhduar, ai do të kishte kërkuar zëvendësues të denjë për CR7-ën. Kjo nuk ndodhi dhe një ekip i ngopur, pjesërisht i shtyrë në moshë, e pjesërisht tepër i ri, nuk mundi të përballonte standardin që kërkohej prej tij.
Sfidanti.al