Buduçnosti sërish mund “Goliadhin” në Euroligë, bie edhe Reali!

Në Arenën “Moraça” të Podgoricës, kombi i vogël malazez, provoi një tjetër krenari të lidhur me sportin. Kampionia e Malit të Zi dhe e Ligës së Adriatikut (vende të ish-Jugosllavisë), Buduçnosti, ia doli të thyente kampionen e Europës në fuqi, Realin e Madridit, me rezultatin bindës 73-60. E rikthyer në kompeticionin kryesor europian të basketbollit, skuadra malazeze përsëriti heroizmin që bëri pak javë më parë duke mundur po në “Moraçë” edhe ish-kampionen e Europës, CSKA-në e Moskës.

Buduçnosti, që në shqip mund ta përkthejmë “Ardhmëria” (siç e thonë në Kosovë), tregoi se edhe një vend shumë i vogël, me vetëm 650 000 banorë, mund të krijojë histori të mëdha. Një shtet shumë më i qartë për rrugën e vet drejt begatisë, arriti të formojë një skuadër me një buxhet të vogël për Euroligën, por tepër të madh për basketbollin malazez.

Buduçnosti ka buxhet këtë vit prej 5.8 milionë eurosh, kur rekordin e buxheteve e ka CSKA-ja e Moskës me 41.7 milionë euro, ndërsa mesatarja e klubeve të Euroligës është 21.8 milionë euro. Edhe me këtë fuqi të vogël financiare, Buduçnosti ka krijuar një skuadër që ka arritur 5 fitore deri tani, dhe që po nderon jo vetëm qytetin e Podgoricës, por edhe vendin e saj.

Buduçnosti ka 14 sponsorë, nga të cilët kryesori është rrjeti i supermarketeve “VOLI”, ka sponsor tjetër për veshjen sportive (Luanvi, kompani spanjolle), si dhe sponsor edhe kompaninë shtetërore ajrore malazeze “Montenegro Eirlajns” (Montenegro Airlines), e cila i garanton skuadrës fluturimet gjatë sezonit.

Fitorja ndaj Realit, ashtu si edhe ajo ndaj CSKA-së, ishte një festë basketbolli për rreth 5300 tifozët në “Moraçë”. Falë financave, Buduçnosti ka katër amerikanë, një francez, një boshnjak, dhe një gjeorgjan.

Sfidanti.al