Niko Kovaç për Bajernin dhe Hënesin: Kurrë nuk u frikësova!

Sezoni nisi shumë mirë, që me fitoren 5-0 në Superkupë ndaj ish-ekipit të tij. Niko Kovaç u lavdërua dhe u ngrit në qiell tek Bajerni, por shpejt erdhi vjeshta e vështirë, që kulmoi me katastrofën 0-3 në “Alianc Arena” me Gladbahun. Në tri ndeshje në shtëpi u mor vetëm 1 pikë, dhe ishte momenti kur presidenti Uli Hënes doli para gazetarëve duke deklaruar se trajneri ishte në dyshim.

“Hënse u detyrua të vinte duart në kokë pas atyre fjalëve, – thotë me të qeshur kroati, ndërsa Bajerni i tij duket se e ka marrë veten, – këta 5 muaj kanë qenë të mbushur me ngjarje, me emocione, me ndryshime, por nuk kanë qenë aspak të mërzitshëm”. Më pas, Kovaçi shton se “kam mësuar nga trajnerët e mi që nuk duhet të trembem asnjëherë, por të jem gjakftohtë”. Ai bëri pikërisht këtë, duke punuar në stërvitje, e duke iu shmangur mediave.

Tashmë, duket më i qetë, pasi bavarezët janë 6 pikë larg Dortmundit të vendit të parë, janë ngjitur në vend të dytë, ndërsa nuk pësuan asnjë humbje në grupet e Championsit, për herë të parë në 10 vjet. Kovaç tregon sesi bëri ndryshime taktike për të afruar në qendër lojtarët e krahut, dhe sesi pakësoi rotacionin në mënyrë që lojtarët ta njihnin më mirë njëri-tjetrin. Shpresat janë ende të mëdha në Bundesligë, ndërsa në Champions duhet të kalohet një rival i madh si Liverpuli.

Sfidanti.al