Çfarë Uimbëlldoni, “tërmeti” tek femrat më i fortë se i Gjirit të Lalzit!

Kishte kohë që nuk ishte parë një Grand Slem i tillë. Uimbëlldoni i këtij viti tek femrat duket si një revolucion, nga ata që rrëzuan koka mbretërish. Viktimat, sportive të kuptohemi, deri tani janë 8 nga 10 tenistet favorite.

Vetëm numri 1 i botës dhe i turneut, rumunia Simona Halep, ka rezistuar, ashtu si edhe numri 7, çekja Karolina Pliskova, që u kualifikua me shumë fat. U rrëzua një gjigande tashmë në moshë të madhe, si Venus Uilliams (numri 9 i botës) që u mund në tre sete nga Kiki Bertens. Edhe amerikania tjetër, Medison Kejs, nuk ia doli përballë ruses Jevgenija Rodina, numri 120 në botë.

E eleminuar edhe kampionia në fuqi, spanjollja Garbinë Muguruza, si edhe Karolinë Voznjacki, Sloun Stefens, Elina Svitolina, Karolina Garsia dhe Petra Kvitova. Mbetet në pretendime për një tjetër titull, e famshmja Serena Uilliams që kaloi jo pa vështirësi ndaj Kristina Mladenoviçit.

Në një farë mënyre, mund të themi se “tërmeti” femëror në Uimbëlldon është më i madh dhe më tronditës sesa tërmeti i pafund në Gjirin e Lalzit.

Sfidanti.al