Gjermania humbi papritur 0-1 ndaj Meksikës, kurse një pjesë jo e vogël i medias gjermane, në vend që të kërkojë gabimet në lojën e të zgjedhurve të trajnerit Joakim Lëv, për taktikën e aplikuar nga ai, iu sul me forcë futbollistit të rij, Xhulian Brandt, për një veprim të tij mbas ndeshjes. Më shumë këtë lojtar të ri, në fakt, mjaft të mirë, e kritikoi gazeta e njohur gjermane, “Bild”.
Sipas kësaj gazete, Brandti, në vend që të dilte kokulur nga fusha dhe të futej në tunel me drejtim për te dhoma e zhveshjes, gjeti kohën që të bënte selfi me një tifoz?
Ky futbollist i Bajer Leverkuzenit ishte një rifreskim i vërtetë për ekipin gjerman, kur atij iu dha shansi që të luante në fund të ndeshjes dhe madje pati edhe një rast për gol, duke goditur shtyllën. Brandti, më të vërtetë, nuk bëri ndonjë gjë të keqe, pasi, në fund të fundit, bëri foto me një tifoz gjerman.
“Një djalë m’u lut që të bëja fotografi me të dhe unë e bëra atë. Nuk mendoj se bëra ndonjë gjë të keqe”, tha më vonë vetë futbollisti i ri gjerman.
Sfidanti.al