Me Izraelin si në film:  filloi me furgona,  ta mbarojmë me gola!

Kur luan Kombëtarja në Elbasan nuk është vetëm festë, madje në një pjesë të qytetit thonë me nostalgji: “ Sa mirë ishim, kur kishim stadiumin e vjetër”. Me një kundërshtar si Izraeli, ku jeta e qytetit humbet normalitetin dhe futbolli bëhet sebep për të tensionuar klimën, ka shumë arsye të presin me padurim fundin e ankthit , duke shpërfilluar edhe ndeshjen.

Si në një film, nga ata që fillon me paralajmërimin “Largoni fëmijët nga ekrani”, futbollistët izraelitë  janë futur nëpër furgona në Rinas, duke krijuar iluzionin fyes se prekën tokën e rrezikut akut. Le të shpresojmë se taktika e tyre në fushë nuk do të jetë kaq e “rafinuar”, dhe premtimet e futbollistëve tanë, ndryshe nga trajneri De Biazi që e nisi disi i stepur, të rezultojnë të vërteta.  Sidoqoftë,  kujtesa në stadiumin e Elbasanit,  nuk të lë të flasësh shumë,  sapo kujton ndeshjen tjetër të blinduar me Serbinë.

Të lodhur nga politika, të injoruar nga masat e skajshme dhe në fund të rrahur pa pikë historie edhe në fushë.  Thonë se Izraeli, kudo që shkon, ka një “garderobë speciale” që e ndjek nga pas,  por kjo e ndeshjes së fundit,  do të mbahet mend edhe për shkak të një batute në qytetin e ndeshjes: “ Mos mbani duart nëpër xhepa,  ka ardhur Izraeli me furgona, nuk dihet me çfarë do të kthehet..”

G.Sinemati