Nuk do të kursehen as këtë herë. Drejtuesit e Skënderbeut do ta dërgojnë ekipin në fazë përgatitore dimërore, në mënyrë që gjysma e dytë e sezonit të jetë po aq e mirë sa e para. Skuadra e trajnerit Ilir Daja do të ketë disa ditë pushim pas ndeshjes së fundit të kampionatit, të premten ndaj Teutës në Korçë, dhe do të grumbullohet në 3 janar në kompleksin “Tropikal” në plazhin e Durrësit.
Në datë 4, një ditë më vonë, do të jetë udhëtimi drejt Antalias, ku korçarët do të stërviten dhe do të luajnë ndeshje përgatitore, deri në datë 17 ose 18. Një minifazë prej 2 javësh, ku janë përcaktuar edhe 3 miqësore. E para do të zhvillohëet në datën 8 janar ndaj ekipit të Superligës turke, Bursasporit. E dyta do të jetë në datë 12, kundër njërit prej emrave më të mëdhenj të futbollit të Turqisë, Beshiktashit të Stambollit, ekip me të cilin Skënderbeu është ndeshur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës dy sezone më parë. E gjithë faza përgatitore mund të kushtojë 200 000 euro, të paktën këto kanë qenë shifrat në Spanjë.
Miqësoret do të mbyllen në 15 janar ndaj rumunëve të Viktorulit, ndërsa pas pak ditësh do të jetë kthimi në Shqipëri. Skënderbeu pritet të ketë edhe përforcime për fazën e dytë, por ndoshta edhe largime pasi është përfolur transferimi jashtë vendit i mbrojtësit Jashanica. Ekipi kryeson Superligën me 34 pikë pas 15 javësh, i shkëputur 9 pikë nga ndjekësit më të afërt, Kukësi e Flamurtari.
Sfidanti.al