Pasi Federata u tregua fare e pamëshirshme me “Selman Stërmasin”, duke programuar të luheshin në atë stadium një mori takimesh në një periudhë shumë të shkurtër, aq sa i takonte pothuajse një ndeshje në dy ditë, tapeti i impjantit kishte nevojë për ndërhyrje, pikërisht në këtë periudhë të nxehtë të kampionatit. Kështu, Tirana iu shtua listës së gjatë të skuadrave nomade, të cilat ndeshjet e shtëpisë i luajnë gjithmonë diku tjetër.
Kështu Tirana – Vllaznia, apo siç e quajnë me përkëdhelje, “klasikja”, do të luhet në Laç, ndërkohë që ka edhe një grup ekipesh që janë kthyer në barka pa busulla, ku nuk kanë një vend për të hedhur sperancën. Korabi luan në Tiranë, Partizani në Elbasan, Shkodra në fshat, ndërsa Luftëtari ku të gjejë, një herë në Elbasan, më pas në Peqin, dhe së fundi në Lushnje. Një kategori më poshtë është Dinamo që është transferuar në Pezë dhe Sopoti në Fushë-Krujë, ndërsa tifozët duhet të gjejnë mjete transporti ç’të munden dhe para të tepërta për t’i ndjekur.