Në telashe për të katërtën herë. Fituesi i Vueltës së Spanjës në vitin 2002, Aitor Gonzales, është arrestuar të martën në Alikante (Spanjë), si i përfshirë në grabitjen e një dyqani celularësh. Lajmin e bën publik gazeta spanjole As, në versionin online. Ish-çiklisti ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë krim, ndërkohë që është vënë në pranga përpara një vitrine të thërmuar, por më pas ka pranuar që grabitja është kryer nga një person që gjendej bashkë me të.
Gonzales ka pasur edhe më parë precedentë penalë. Kështu në vitin 2007 është arrestuar duke i dhënë makinës në gjendje të dehur, madje pas verifikimeve doli se kishte përdorur kokainë. Në vitin 2008 përfundoi në pranga, pasi kishte sulmuar tre persona, ndërsa në 2011 tentoi të vidhte një bankë, duke përdorur dokumente të falsifikuara.