Zëvendësues në ekipin e tij, Mançester Junajtid dhe po zëvendësues edhe në ekipin përfaqësues anglez, kështu që karriera e Uejn Runit duket se po merr një tatëpjetë, nga e cila vështirë se ai do të mund të ngjitet përsëri. Nuk kanë kaluar më shumë se pesë javë, qëkur kapiteni i ManU-së dhe i ekipit përfaqësues anglez u hoq nga formacioni i parë i ekipit të Mançesterit, por, tani, sikurse duket, rrugë kthimi për të nuk ka më.
Kur Runi festoi 31-vjetorin e tij, të hënën e kaluar, atij i duheshin edhe vetëm tre gola që të arrinte ser Bobi Çarltonin që mban rekordin si golashënues i të gjitha kohërave te ManU-ja, por, tani, sikurse shihet, duket pak si e vështirë që ai ta arrijë këtë rekord dhe ta thyejë atë, duke qenë se ai më shumë po qëndron ulur në stolin e rezervave.Në fillim, kur Murinjo e la të ulur atë në stolin e rezervave, u duk se bëhej fjalë për formën e tij, por, tani, duket se gjërat kanë ndryshuar dhe, ka shumë mundësi, që ai “ta ngrohë” stolin gjatë një kohe të gjatë.