Padyshim ka qenë lojtari më i mirë i përgatitoreve të verës. Nejmar ka shkëlqyer për Barcelonën duke shënuar gola, siç bëri me dy ndaj Juventusit e një ndaj Mançester Junajtidit, ndërsa kundër Realit shërbey dy asistë. Sulmuesi nga Brazili duket sikur kërkon të vërtetojë diçka, sikur kërkon të justifikohet për largimin e pritshëm drejt Paris SG. Në moshën 25-vjeçare, ai mesa duket digjet nga dëshira për të qenë një udhëheqës në fushën e lojës, gjë që te katalanasit e ka të ndaluar, përsa kohë të jetë Lionel Mesi.
Kjo duket arsyeja kryesore e largimit të tij të mundshëm, dhe aspak paratë, me të cilat është mësuar që në moshën 19-vjeçare. Një talent i përmasave më të mëdha, padyshim më i madh se Kristiano Ronaldo dhe i përafërt me Mesin, Nejmar dëshiron një skuadër krejt të tijën, ku të luhet sipas ritmit të vendosur prej tij. E ka treguar këtë aftësi kur Mesi ka qenë i dëmtuar tek Barcelona, dhe po ashtu është një lider tek Brazili. Nëse do t’ia dilte që ta bënte Paris SG një klub të madh edhe në Champions, çdo sakrificë e sheikëve në Francë do të ishte e justifikuar. Gjithsesi, të mos harrojmë fjalët e Pikesë, autorit të golit të fitores në miqësoren ndaj Realit: “Nejmar është një fëmijë 25-vjeçar që nuk e di se çfarë kërkon”.
Sfidanti.al