Katër golat në “Kamp Nou” erdhën jo vetëm për meritë të qiellorëve të MSN-së. Në Angli e kanë shumë të qartë se nuk ishte vetëm Barcelona që fitoi ndaj Mançester Sitit në Champions, por edhe skuadra e tyre që ndëshkoi veten.
Tabloidi “Deili Meil” citon fjalët e ish-kapitenit të Mançester Junajtidit, Roi Kin, që theksoi se “taktika e Guardiolës ishte e guximshme, por idiote”. Tabloidi analizoi ndeshjen dhe nxorri përfundimin se Kolarov, Fernandinjo e Stouns gabuan në golin e parë, ndërsa “kapakun” e vuri përjashtimi i pafalshëm i portierit Bravo.
Në golin e dytë, një gabim i De Brujnit zbuloi dobësinë e mbrojtjes angleze me pak lojtarë në prapavijë dhe me shumë hapësirë përballë Mesit, Nejmarit e Suarezit. Edhe goli i tretë ishte thuajse i njëjtë, me gabimin në pasim të Gyndoganit dhe katalanasit që e shfrytëzuan rrufeshëm. Në golin e katërt, gaboi Fernandinjo duke vrapuar pas Mesit e duke harruar pozicionin.
Gjithsesi, Guardiola mbetet Guardiola. Ai përballoi çdo kritikë pas ndeshjes. “Deri në ditën e fundit të karrierës do të luaj me këtë taktikë, për të luajtur futboll që nga portieri deri tek sulmuesi i fundit, – tha ai, – Kjo humbje nuk do ta ndryshojë mënyrën sesi e konceptoj unë futbollin. Unë dua që skuadrat e mia të luajnë në sulm”.
Luis Enrike, ish-shoku i tij tek Barcelona, sot trajner rival, i del në krah. “Ishte një rezultat i thellë për këtë ndeshje, – gjykoi ai, – Ndikuan shumë gabimet. Ishin detajet që vendosën përballjen, ndërsa nuk është asnjëherë e lehtë të luash ndaj ekipeve të Guardiolës, që mbetet trajneri më i mirë në botë”.
B. Kuka