Carlos Augusto rinovon me Interin deri më 2031

Carlos Augusto rinovon kontratën me Interin deri më 30 qershor 2031. Klubi zikaltër konfirmoi zyrtarisht zgjatjen e marrëveshjes me mbrojtësin brazilian, të lindur në vitin 1999, pas daljes së lojtarit nga selia e klubit. Sipas raportimeve, marrëveshja parashikon edhe rritjen e pagës, që pritet të jetë rreth 3 milionë euro në sezon.

Vetë Augusto e quajti rinovimin diçka që e priste prej kohësh dhe premtoi se do ta shpërblejë besimin e klubit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dhënë gjithçka. Zgjatja e kontratës vjen si shpërblim për paraqitjet e tij këtë sezon, për vazhdimësinë dhe nivelin e treguar në fushë.

Braziliani është vlerësuar si mbrojtësi më i mirë i Interit. Për t’i krijuar hapësirë në formacion, trajneri Chivu ka lënë herë pas here pushim Dimarcon ose ka zhvendosur Bastonin në qendër të repartit defensiv. Performancat në Serie A dhe në Champions League i siguruan Augustos edhe një ftesë nga kombëtarja e Brazilit.