Bruno Fernandes mund të largohet nga Manchester United në fund të sezonit si lojtar i lirë, duke tërhequr interesimin e disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Mes skuadrave që po monitorojnë situatën e mesfushorit portugez janë edhe Juventusi dhe Milani.
Kontrata e kapitenit të “Djajve të Kuq” përmban një opsion për rinovimin edhe me një vit, por ende nuk dihet nëse klubi anglez do ta aktivizojë atë. Në këtë situatë, klubet e interesuara po ndjekin me vëmendje zhvillimet, duke shpresuar për mundësinë e transferimit të tij pa shpenzuar për kartonin. Juventusi është një prej skuadrave që po vlerëson mundësinë e afrimit të Fernandes, por në Torino janë të vetëdijshëm se ekziston një pengesë e rëndësishme: paga aktuale e futbollistit, e cila është shumë më e lartë se parametrat financiarë të klubit bardhezi.
I njëjti problem ekziston edhe për Milanin, por kuqezinjtë mund të kenë një avantazh në këtë garë. Bëhet fjalë për trajnerin portugez Ruben Amorim, i cili ka një marrëdhënie të mirë me Fernandes, pasi e ka drejtuar atë gjatë periudhës së përbashkët te Sporting Lisbona. Sipas raportimit të “Tuttosport”, nëse mesfushori arrin të largohet nga Manchester United me parametra zero, ai do të përfaqësonte një përforcim të rëndësishëm për shumë klube europiane. Për momentin, mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e United do të aktivizojnë opsionin e rinovimit apo do të lejojnë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

