Shaqiri: Tek Interi gjeta kaos, por ato 6 muaj ishin të mrekullueshëm

“Ajo ndeshje është gjithmonë në mendjen time”. Xherdan Shaqiri nuk e ka harruar tripletën e jashtëzakonshme të shënuar kundër Luganos, vendimtare për fitimin e titullit kampion me Basel. Ky është vetëm një nga kujtimet e shumta që fantazisti ndan në episodin e ri të Larmandillo.

Nga netët europiane me Baselin te përvojat me Bayernin, Interin dhe Liverpoolin. Duke folur për aventurën zikaltër, të nisur mes entuziazmit të mijëra tifozëve, Shaqiri kujton vështirësitë financiare të klubit: “Tek Interi kishte një rrëmujë të madhe”.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet edhe kombëtares zvicerane; nga goli spektakolar me roveshiatë kundër Polonisë në vitin 2016, te pengjet e Botërorit 2014. Më pas, gjesti i shqiponjës kundër Serbisë, tensionet me Petkovic dhe një prapaskenë interesante: një mbrëmje me Valon Behramin gjatë eliminatoreve të Botërorit, e cila, sipas Ceronit, rrezikoi të përfundonte në faqet e gazetës “Blick”.

Mes anekdotave, të qeshurave dhe disa zhgënjimeve, Shaqiri flet edhe për të ardhmen. A do të bëhet trajner? “Nuk e di. Dua të mbetem në futboll”. Por për momentin dëshira e tij është të vazhdojë të luajë.

Si e kujton Shaqiri aventurën zikaltër dhe përvojën në futbollin italian? Interi të priti me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Qindra tifozë ishin në aeroport për të të përshëndetur…

Më vlerësonin si futbollist. Kisha bërë gjëra të mira me Bayern Munich dhe me kombëtaren. Mendoj se ishte edhe për shkak të aurës sime.

Por çfarë ndodhi më pas gjatë këtyre 6 muajve në Milano? Në fillim luaje, pastaj nuk luajte më…

Nuk ishte e lehtë. Tek Interi kishte një rrëmujë të madhe (e përsërit edhe në italisht, shën. red.), me çështje që lidheshin me “fair play financiar” dhe shumë probleme ekonomike.

Në atë kohë pronar ishte ende Erick Thohir…

Po, por kishte edhe shumë lojtarë të vjetër. Edhe qendra stërvitore ishte e vjetër. Gjërat ndryshuan kur erdhi Antonio Conte, por ajo nuk ishte periudha më e mirë e Interit. Megjithatë, më pëlqeu shumë jeta në Itali. Ata muaj ishin të mrekullueshëm. E kam dashur Italinë.

Shkoje edhe për të ndjekur basketbollin…

Po, një herë shkova të shihja Olimpia Milanon. Më pëlqen basketbolli, ashtu si çdo sport që luhet me top. Më tërheq edhe për aspektin teknik.

Me Interin shënove një gol me penallti kundër Atalantës në Bergamo dhe një tjetër kundër Celtic në “Europa League”…

Ndeshja në Glasgow ishte e pabesueshme. Nuk do ta harroj kurrë. Pas çdo goli tonë, ata përgjigjeshin me një gol. Atmosfera në ‘Celtic Park’ është edhe sot më e mira që kam përjetuar ndonjëherë. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte një ndeshje fantastike. Shënova pas një asistimi të Zdravko Kuzmanovic. Kam shënuar në Serie A, ‘Europa League’ dhe Kupën e Italisë. Nuk shkoi edhe aq keq…

Më pas kalove te Stoke City…

Ishte një lloj tjetër futbolli, më fizik. Por ishte një përvojë e bukur. M’u desh të mësoja shumë, veçanërisht për fazën mbrojtëse. Megjithatë, kisha besimin e të gjithë klubit dhe të trajnerit Mark Hughes. Mediat zvicerane më pyesnin shpesh pse kisha shkuar te Stoke. Sot lojtarët shkojnë të luajnë në Arabinë Saudite… Kam ende marrëdhënie shumë të mira me Stoke dhe do të doja të shkoja përsëri për të ndjekur një ndeshje të tyre. Është për të ardhur keq që ndodhen në ‘Championship’. Duhet të ishin në Premier League, sepse janë një nga klubet më të vjetra në botë. Shpresoj të rikthehen atje.

Cila ishte përvoja më e vështirë; ajo në Milano apo në Lyon?

Është e vështirë të thuhet. Ndoshta ajo në Lyon, ku kisha tashmë më shumë përvojë. Nuk ishte e lehtë, sepse lojtarët flisnin pak anglisht. Unë flas pak frëngjisht, por komunikimi ishte i vështirë. Nuk kishte një frymë të madhe skuadre. Doja të largohesha dhe kështu përfundova në Chicago.