Ekipi i djajve, Manchester United është duke vëzhguar nga afër situatën e mesfushorit të Comos, Nico Paz, me objektivin për ta transferuar atë gjatë fazës së merkatos së verës së ardhshme. Sipas medias prestigjoze angleze “The Sun”, 22-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit anglez falë paraqitjeve të mrekullueshme këtë sezon me ekipin e Komos.
Statistikisht, e jo vetëm, këtë vit Paz ka mahnitur fansat jo vetëm të Komos e të kampionatit italian por edhe të atij europian. Ai ka shënuar gjashtë gola dhe tetë asiste në 14 ndeshje, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit modest italian.
Interesimi i Manchester Unitedit lidhet edhe me pasigurinë rreth së ardhmes së kapitenit Bruno Fernandes, largimi i mundshëm i të cilit mund të krijojë nevojën për përforcime në mesfushë. Megjithatë, transferimi i argjentinasit nuk pritet të jetë i lehtë. Real Madridi ka një klauzolë riblerjeje në vlerë prej 67 milionë funtesh për futbollistin, e cila bëhet e vlefshme verën e ardhshme.

