Bayern, dyshime për të ardhmen e Manuel Neuer

E ardhmja e Manuel Neuer te Bayerni i Mynihut po shoqërohet me pikëpyetje të shumta. Portieri gjerman do të qëndrojë për disa javë jashtë fushave, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Mainzit, ndërsa rikthimi i tij në formacionin titullar nuk duket më i sigurt. Gjatë një daljeje për të shpëtuar topin brenda zonës së vogël, 40-vjeçari pësoi një dëmtim në këmbë, që e detyroi të ndërpriste aktivitetin.

Për situatën e tij ka folur edhe ish-futbollisti Dietmar Hamann, i cili ngre dyshime nëse Neuer do ta rifitojë menjëherë vendin në portën e bavarezëve pas rikuperimit. Sipas tij, shumëçka do të varet nga paraqitjet e Jonas Urbig, i cili pritet të ketë mundësinë të luajë si titullar gjatë mungesës së veteranit gjerman. “Bayerni do të duhet t’i bëjë vetes pyetjen se kë do të aktivizojë në portë në atë moment. Nëse Urbig paraqitet mirë deri në Krishtlindje dhe nuk bën asnjë gabim, atëherë lind pyetja nëse do ta rikthejnë Neur në portë”, u shpreh Hamann.

Ai shtoi se mbetet për t’u parë nëse portieri do të rikuperohet plotësisht dhe nëse klubi do t’i besojë sërish rolin e titullarit. Kështu, dëmtimi mund të hapë një diskutim të rëndësishëm për të ardhmen e Neuer, i cili synon ta mbyllë karrierën në mënyrën më të mirë të mundshme, por tashmë duhet të përballet edhe me konkurrencën brenda skuadrës.