Vdekja e De Miguel, goditja në kraharor dyshohet si shkaku fatal

Vdekja tragjike e Jesús de Miguel, sulmuesit 30-vjeçar të Tenerifes, pas një përplasjeje të fortë me portierin e Andorrës, ka ngritur pikëpyetje mbi mekanizmin që mund të ketë shkaktuar arrestin kardiak. Sipas kardiologut Pasquale Perrone Filardi, profesor në Universitetin Federico II të Napolit dhe ish-president i Shoqatës Italiane të Kardiologjisë, raste të tilla janë tepër të rralla.

“Arresti kardiak mund të shkaktohet nga një traumë shumë e fortë në kraharor, e njohur si ‘commotio cordis’. Ajo mund të shkaktojë drejtpërdrejt një çrregullim elektrik të zemrës dhe të nxisë aritmi, ose të sjellë dëmtime në zemër apo mushkëri, të cilat më pas ndikojnë në funksionimin e saj”, shpjegoi eksperti.

Sipas tij, arresti që i mori jetën futbollistit mund të ketë ardhur si pasojë e një çrregullimi elektrik të shkaktuar nga goditja, por edhe nga një dëmtim fizik, si grumbullimi i gjakut në perikard apo një dëmtim pulmonar që pengon punën e zemrës.

Pas përplasjes së ndodhur në minutat shtesë të ndeshjes TenerifeAndorra, gjendja e De Miguelit ishte kritike. Personeli mjekësor ndërhyri menjëherë dhe kreu reanimim kardiopulmonar. Kardiologu theksoi se, në rastet e arrestit kardiak jashtë spitalit, mbijetesa është më pak se 10 për qind, ndërsa në spital mund të arrijë në 30-40 për qind.

Futbollisti u transportua në spitalin universitar Nuestra Señora de Candelaria dhe u shtrua në terapi intensive. Fillimisht klubi e cilësoi gjendjen e tij të rëndë, por të qëndrueshme. Gjatë natës, situata u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë.

Shkaqet e sakta do të përcaktohen nga autopsia. Eksperti nënvizoi se duhet të verifikohet nëse futbollisti kishte ndonjë sëmundje të zemrës të padiagnostikuar apo predispozitë për aritmi.

“Duhet të shqyrtohet edhe historia familjare e vdekjeve të papritura, shenjat e mundshme të një patologjie kardiake dhe kontrollet që kishte kryer. Është e nevojshme të rindërtohet e gjithë historia e tij klinike, personale dhe familjare”, përfundoi Perrone Filardi.