Merkel në mbështetje të Kompany

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mbështetjen e saj për trajnerin e Bayern Munich, Vincent Kompany, duke i uruar një rikuperim sa më të shpejtë dhe duke theksuar rëndësinë që ai të marrë gjithë kohën e nevojshme për t’u rikthyer pa presion.

Në një intervistë për “Magenta TV”, Merkel tregoi se lajmi për gjendjen e trajnerit bavarez e kishte trishtuar, ndërsa shprehu respektin e madh për punën dhe qëndrimet e tij.

“Në fillim u ndjeva shumë e trishtuar kur e dëgjova këtë lajm. I uroj shërim të shpejtë dhe shpresoj që të ketë kushtet e duhura për të marrë gjithë kohën që i nevojitet”, deklaroi Merkel.

Ish-kancelarja gjermane vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Kompany e ushtron profesionin e tij, duke vënë në pah edhe qëndrimet e trajnerit kundër diskriminimit.

“Kam një respekt të madh për punën që bën Vincent Kompany, si dhe për qëndrimet e tij të qarta kundër diskriminimit dhe për shumë çështje të tjera. Mund ta imagjinoj se, nëse do të isha futbolliste apo futbollist, ai do të ishte pikërisht trajneri me të cilin do të dëshiroja të punoja”, u shpreh ajo.