Kai Rooney po tërheq vëmendjen te akademia e Manchester Unitedit, duke treguar se dëshiron të ndërtojë karrierën e tij dhe të mos jetojë vetëm nën hijen e babait legjendar. 16-vjeçari ishte protagonisti kryesor në fitoren 6-0 të ekipit U18 ndaj Burnleyt, duke realizuar plot katër gola. Sulmuesi, i cili mban numrin 9 në fanellë, ashtu si Wayne Rooney gjatë karrierës së tij, e nisi spektaklin në minutën e 22-të.
Kai realizoi me të majtën brenda zonës, duke i dhënë avantazhin Manchester Unitedit. Në pjesën e dytë, talenti i ri shënoi nga pika e bardhë në minutën e 49-të, përpara se të kompletonte het-trikun në minutën e 63-të, me një goditje me kokë pas një rivënieje nga këndi. Por Kai nuk u ndal me kaq. Vetëm tri minuta më vonë, ai realizoi golin e katërt personal, duke kaluar një kundërshtar, duke i rezistuar ndërhyrjes së një mbrojtësi dhe duke mposhtur portierin me një goditje të saktë me të djathtën.
Fitorja e thellë 6-0 u plotësua nga golat e Jaume Camacho dhe Noah Ajayi. Kai Rooney mbush 17 vjeç të hënën e ardhshme dhe po shfaq shenja të qarta progresi në ekipin e të rinjve.

