Armando Sadiku i jep fund karrierës si futbollist

Armando Sadiku ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur në moshën 35-vjeçare. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka ndarë me ndjekësit e tij një mesazh emocionues, duke përshëndetur sportin që i dha momente të paharrueshme gjatë karrierës.

Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në Instagram, Sadiku ka bërë të ditur se ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij në fushën e blertë. Në pamjet e shpërndara shfaqen disa nga çastet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij si futbollist profesionist. “Faleminderit, futboll. Do të më mungosh!”, ishte mesazhi me të cilin ish-lojtari kuqezi shoqëroi njoftimin e tërheqjes, një vendim që shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në jetën e tij sportive. Sadiku do të mbetet në kujtesën e tifozëve shqiptarë për kontributin e dhënë në një prej periudhave më të veçanta të historisë së Kombëtares. Ai ishte protagonist në rrugëtimin drejt Kampionatit Europian “Francë 2016”, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë në një turne madhor europian.

Sulmuesi shënoi golin vendimtar ndaj Armenisë, që vulosi fitoren dhe kualifikimin historik të kuqezinjve në Europian. Ai la gjurmë edhe në fazën finale të turneut, duke realizuar golin e fitores 1-0 ndaj Rumanisë, sukses që i dha Shqipërisë tri pikët e para në një Kampionat Europian. Në bilancin e tij me fanellën kuqezi, Sadiku regjistroi 38 ndeshje dhe 12 gola, duke u kthyer në një prej emrave të spikatur të atij brezi që shkroi historinë e futbollit shqiptar. Megjithatë, largimi nga fusha nuk do të thotë shkëputje nga sporti. Sipas informacionit të bërë publik, Sadiku do të vijojë karrierën në një tjetër rol, atë të drejtorit sportiv te Bellinzona, klubi zviceran ku do të nisë një etapë të re profesionale. Pas shumë vitesh si futbollist, ish-sulmuesi shqiptar i thotë lamtumirë fushës, por jo futbollit, duke nisur një rrugëtim të ri jashtë vijave të bardha.